Në fokus të emisionit “Opinion” këtë të martë ishte krimi shqiptar dhe ku po investojnë ata. I ftuar për të folur për këtë çështje ishte gazetari i njohur Artan Hoxha.
Gazetari tha se sot krimi i organizuar shqiptar dhe korrupsioni janë shumë prezent. Sipas tij, duke u bazuar edhe në raportet ndërkombëtare, një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare, rreth 40%, është informale.
Artan Hoxha theksoi se vitin e kaluar janë shkëmbyer vetëm në pikat e këmbimit valutor 12 miliardë Euro.
“Vitin e kaluar vetëm në pikat e këmbimit valutor, pra jashtë sistemit bankar janë shkëmbyer 12 miliardë Euro. Ne e dimë sa është buxheti i qeverisë në një vit. Vetëm në pikat [e këmbëmimt valutor] dhe unë nuk besoj që ky 12 miliardëshi është thyer nga turistët sepse kjo do na kishte dhënë një feedback në të gjithë infrastrukturën e mikpritjes së turistëve, hoteleri e të gjitha këto. Pra janë thyer 12 miliardë Euro në pikat e këmbimit valutor, pra jashtë sistemit bankar. Që sigurisht kemi të bëjmë me një sasi të stërmadhe për kapacitetet që ka Shqipëria sot”, tha Hoxha.
Kur u pyet për fushat më të mëdha që investon krimi, Hoxha tha se ndërtimi është më i dukshëm./tvklan.al