Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, thotë se numri i të burgosurve me vendim të formës së prerë është më i ulët se ai i të paraburgosurve, një raport, të cilin e quan të zhdrejtë.
Në një prononcim të tij për reportazhin e zhvilluar nga emisioni “Opinion” në Tv Klan, Abrija shprehet se në burgjet e vendit janë 2 mijë e 500 të paraburgosur më shumë se duhet të ishin, që prodhojnë një koso financiare për sistemin e burgjeve 22 mijë Euro në vit.
Blendi Fevziu: Duket se ka qenë një problem së fundmi edhe nga Gjykata Evropiane çështja e të paraburgosurve në Shqipëri. Pra, duket se ka shumë të paraburgosur që më pas mund të dalin të pafajshëm, duhet dhe t’i dëmshpërblesh më mbrapa. Çfarë raporti janë të burgosurit me të paraburgosurit në Shqipëri?
Admir Abrija: Të paraburgosurit me të burgosurit janë në një raport të zhdrejtë. Ne kemi 2200 të dënuar me vendim të formës së prerë, ndërkohë që kemi 3 mijë e 300 me operacionin e fundit, të paraburgosur.
Blendi Fevziu: 2 mijë e 200 janë me vendim të formës së prerë dhe 3 mijë e ca janë në paraburgim?
Admir Abrija: Në fakt, rregullat evropiane thonë që numri i të paraburgosurve duhet të ishte 25% e numrit të të dënuarve. Pra, ky raport na thotë se duhet të kishim në sistemin e burgjeve 750 veta maksimumi si të paraburgosur. Në kuptimin statistikor të gjësë, ne kemi 2 mijë e 500 të paraburgosur më shumë se duhet të ishin dhe këto 2 mijë e 500 veta prodhojnë një kosto financiare për sistemin e burgjeve rreth 22 milionë Euro në vit.
/tvklan.al