Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave në kuadër të dy ndeshjeve që Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë kundër Çekisë dhe Ukrainës, më 16 dhe 19 Nëntor në “Air Albania”.

Pjesë e planit janë dhe bllokimi i 10 akseve rrugore që të lidhin me stadiumin kombëtar aty ku do të zhvillohen dhe dy ndeshjet në kuadër të Ligës së Kombeve. Bllokimi i akseve do të nis prej orës 15:00 të datës 16 Nëntor dhe po në të njëjtin orar më 19 Nëntor.

Qarkullimi i automjeteve do të vijojë normalisht në përfundim të dy eventeve sportive. Po në kuadër të masave të ndërmarra, policia u ka bërë apel qytetarëve që do jenë të pranishëm të stadium, të distancohen nga aktet e dhunës.

Në të kundërt, uniformat blu paralajmërojnë gjobë nga 50 deri në 100 mijë Lekë. Në rastet kur aktet e dhunës janë të përsëritura, kodi penal parashikon gjobë deri në dënim me 3 muaj burg.

Për të garantuar mbarëvajtjen e dy eventeve sportive të kombëtares shqiptare, në terren Policia e Shtetit pritet të angazhojë rreth 1000 efektivë policie.

Tv Klan