Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, thotë se aktualisht vetëm 2 persona ndodhen në regjimin 41 bis dhe janë disa të tjerë të cilët janë në proces vlerësimi nga SPAK.
Gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin Opinion në Tv Klan nga burgu i Peqinit, Abrija ka dhënë më shumë detaje lidhur me kushtet në të cilat vuajnë dënimin personat të cilët ndodhen në regjimin e posaçëm 41 bis.
Abrija u shpreh se personat që janë në regjimin 41 bis kanë mundësinë që vetëm njëherë në muaj të kenë takim me familjen e tyre si dhe të zhvillojnë një telefonatë 30 minuta.
Blendi Fevziu: Sa veta kemi ne në regjimin 41 bis?
Admir Abrija: Vetëm 2, ndërkohë që kemi disa të dënuar të tjerë në proces vlerësimi nga SPAK.
Blendi Fevziu: Sa kohë rinë në 41 bis?
Admir Abrija: 1 vit, por mund të përsëritet nëse ne identifikojmë se ata kanë lidhje me grupe kriminale.
Blendi Fevziu: Në 41 bis je komplet i izoluar?
Admir Abrija: Po. Në dhomë je vetëm, ushqimi të ofrohet nga një guzhinier i cili nuk komunikon me ty, por vetëm të le ushqimin aty dhe ikën kurse gardianët të marrin dhe të shoqërojnë nga dera e dhomës ku je në derën e boksit të ajrimit që është një boks i ngushtë diku 3 me 5 metër dhe është i mbuluar me një zgarë hekuri dhe është e përforcuar me një zgarë tjetër hekuri.
Blendi Fevziu:Gjithë pjesën tjetër është i izoluar, po televizor ka?
Admir Abrija: Kemi mundësuar instalimin e një televizori vetëm kanale që janë me pjesën social kulturore, 6 orë në ditë. Qelia është diku tre me katër dhe ka banjon brenda.
Blendi Fevziu:Prej një viti është totalisht i izoluar, po familjen sa herë e takon?
Admir Abrija: Familjen e takon njëher në muaj. Ka të drejtën e një telefonate 30 minuta njëherë në muaj.
Blendi Fevziu:Nuk ka kontakt as me gardianët?
Admir Abrija: As me gardianët, vjen guzhinieri edhe e lë ushqimin aty.
Blendi Fevziu: Po kur del për ajrosje?
Admir Abrija: E marrin dy punonjësit e policisë që janë në sektor, janë vetëm aty dhe hapin derën dhe direkt në derën përballë kalon në bokset e ajrimit. Është një boks diku 3 me 5 metër me zgarë hekuri sipër.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija jep detaje edhe lidhur me kriteret dhe procesin që duhet ndjekur për të çuar një të dënuar në regjimin e posaçëm 41 bis.
Blendi Fevziu: Mbi çfarë kriteri e vendos ministria atë që duhet të hyjë në 41 bis?
Admir Abrija: E para duhet të plotësojë elementë të veprës penale, pra që duhet të jetë subjekt i ligjit antimafia. E dyta duhet të identifikohet nga drejtoria e burgjeve rrezikun potencial që ai i dënuar mund të ketë. Në bazë të nivelit të rrezikshmërisë, ky relacion i çohet SPAK dhe më pas prokurorët e posaçëm vendosin nëse ja propozojnë ministrit të Drejtësisë vendosjen në 41 bis apo jo. Pastaj ministri i drejtësisë i Drejtohet institucioneve të tjera./tvklan.al