Matthew Perry kishte marrë 27 doza ketamine tri ditët përpara ndarjes tragjike nga jeta në moshën 54-vjeçare.

Momentet e fundit të yllit të serialit “Friends” janë zbuluar nga avokati Martin Estrada në dokumentarin “Matthew Perry: A Hollywood Tragedy.”

Sipas autopsisë, vdekja e Perry ishte përshpejtuar falë “efekteve akute të ketaminës” dhe më pas ndodhi mbytja aksidentale, raporton New York Post.

Në dokumentar, Estrada i cili merrej me këtë çështje përpara se të dorëhiqej në muajin janar, thotë se aktori i ndjerë kishte marrë 27 doza ketamine nga “njerëz që duhet të dinin më shumë”.

“Dr. Plasencia ishte  shumë i qartë në mesazhet e  tij…ai e pa këtë si një mundësi që të bënte shumë para në pak kohë dhe e bëri”, thotë Estrada. Perry ishte treguar i hapur për varësinë e tij.

Dokumentari mbulon edhe pesë arrestet që u kryen pas vdekjes së aktorit ku përfshihen 2 mjekë,  asistentja që jetonte me të dhe një shpërndarëse droge e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, Jasveen Sangha.

Plasencia dhe Sangha janë deklaruar të pafajshëm dhe presin të dalin në gjyq më 4 mars 2025. Ish-asistentja u shpall fajtore me akuzën e dhënies së ketaminës duke shkaktuar vdekjen. Mëngjesin e tragjedisë, Perry i kërkoi që t’i jepte dozën e parë rreth orës 8:30 të mëngjesit.

Katër orë më vonë, ajo i injektoi një tjetër. Pas 40 minutash, Perry i kërkoi dozën e radhës dhe më pas i  kërkoi t’i përgatiste vaskën. Me dhënien e dozës së tretë në më pak se 6 orë, asistentja u largua për të kryer disa punë.

Në kthimin në shtëpi, ajo gjeti aktorin të rënë përmbys dhe të mbytur. Gjatë asaj periudhe, Perry i ishte nënshtruar terapisë së ketaminës për trajtimin e depresionit.

/tvklan.al