28 mijë fëmijë do të ulen nesër për herë të parë në bankat e shkollës.
Pas pushimeve verore viti i ri shkollor 2024-2025 nis për 350 mijë nxënës në të gjithë vendin.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastriliu përmes një video të publikuar në rrjetet sociale thotë se ky vit ka sjellë risi dhe investime të rëndësishme, ndër to fakti se 31 mijë mësues e nisin vitin shkollor me paga të rritura.
“Fillim i mbarë, me tekste falas për 238 mijë nxënës, 25 shkolla të reja, +216 laboratorë SMART dhe terrene të reja sportive, si dhe me mësues më të motivuar me rritjen historike të pagave në 950 euro në muaj për ta”.
Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës, 200 më shumë se në vitin 2023.
Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të shtojë edhe numrin e psikologëve dhe punonjësve social, duke bërë që numri i tyre të shkojë në 850, 50 më shumë se në vitin e kaluar shkollor.
Tv Klan