Endi Çekani është një i ri shqiptar i cili jeton në SHBA prej vitit 2015. Në një bisedë me “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Endi kujton se si ishin prindërit ata që vendosën të bënin më të mirën për të duke e dërguar në një vend me mundësi të reja. Ai thotë se në fillim e kishte të vështirë sepse shkoi pikërisht në moshën kur nis edhe të kuptosh disi veten dhe të krijosh shoqëritë e para.
Endi Çekani: Mua Amerika, ma kanë thënë si fjali 3 vite dhe aktualisht 3 vitet e para kanë qenë më të vështirat për t’u përshtatur. Thjesht është një vend që ti përballesh me një sistem komplet tjetër, me një mënyrë jetese komplet tjetër, me një shoqëri komplet ndryshe dhe thjesht është koha që ty të merr për tu përshtatur, për t’u mësuar dhe se si ti e menaxhon ditën tënde në një vend të ri.
Endi evidenton edhe një aspekt që e gjen në SHBA, por jo në Shqipëri.
Endi Çekani: Një nga ndryshimet më të mëdha dhe një nga gjërat që mua sot e kësaj dite më pëlqen është që çdo njeri atë që ta thotë, ta thotë me 100% të vërtetë.
Nga Shqipëria i mungon familja, por në vendin ku jeton ka gjetur një komunitet shqiptarësh. Endi shton se nuk ka përjetuar asnjë përvojë me jetesën në Europë, por mendon se më e rëndësishmja në SHBA është që mund të gjesh qetësi me veten. Ai ndan edhe cila është “ëndrra amerikane” që dëshiron të arrijë.
Endi Çekani: Të mungojnë njerëzit se në momentin që ikën pjesën më të madhe të familjes, shoqërisë do e lësh pas dhe e vetmja gjë që të mungon është të gjesh atë personin që ti të ndihesh komfort, të thuash kam një person dhe këtu. Tani ne kemi një komunitet, unë jetoj në Portland, Oregon, ne kemi një komunitet shqiptarësh që është goxha i organizuar.
Aldo: Bëhesh me ata.
Endi Çekani: Është shumë funksional si komunitet dhe ajo pjesa, e shoh që në çdo vend ku emigron, pjesa më e vështirë është të gjesh një ose një grup personash ku ti mund të mbështetesh. Kështu që atje thjesht mungon mbështetja emocionale më tepër se çdo gjë tjetër. Çdo gjë tjetër është se si ti punon, si e organizon ti jetën.
Aldo: Ka pasur momente që ke thënë më mirë në Shqipëri, ç’dua unë këtu apo jo?
Endi Çekani: Momentet e fillimit, 3 vitet e para unë nuk doja të shkelja në Amerikë.
Aldo: Çfarë gjen në Amerikë atë që nuk e gjen në Europë?
Endi Çekani: E vetmja gjë që mund të thoja është qetësia. Atje je ti dhe dita jote, nuk ke… çdo njeri që ke rrotull, si nga njerëzit që ke punën ditë për ditë, si nga shoqëria nuk të përzihet kurrë jeta jote personale me shoqërinë, me njerëzit rrotull. Secili është në punën e vet, secili në qoftë se ka mundësi për të të ndihmuar të ndihmojnë. Ke një lloj qetësie me veten që këtu dhe në kohën tani që jam pak më i rritur, nuk arrij do ta gjej, të përshtatem ose të kem atë lloj relaksi që kam atje.
Aldo: Dhe cila është ëndrra jote amerikane?
Endi Çekani: Ëndrra ime amerikane… me moshën ndryshojmë por që ëndrra që kam tani do thoja që s’do ndryshonte deri në momentin që do arrij…në momentin që kam arritur nuk kam arritur ta kuptoj aq mirë se kam qenë edhe më i vogël, është ajo mosha e rebelimit por sakrificën që kanë bërë prindërit për mua, ëndrra ime është që atë sakrificë t’ua shpërblej./tvklan.al