Shqipëria kremtoi me një ceremoni të posaçme ushtarake në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes 5 –vjetorin e anëtarësimit në NATO. Por ajo që ra në sy në këtë ceremoni ishte mungesa e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
Burime zyrtare nga Presidenca bënë me dije se kreu i shtetit nuk ka marrë pjesë në këtë ceremoni për shkak të ftesës që i është bërë. Të njëjtat burime saktësuan se ftesa që kishte mbërritur vetëm të premten, nuk ishte e shoqëruar me agjendën apo protokollin që përcakton se cili do të ishte angazhimi i komandatit të përgjithshëm të forcave të amatosura. Ftesa është kjo që shihni në këtë foto, e njëjtë me atë që u dërgohet të ftuarve të thjeshtë në ceremoni të tilla. Ndaj presidenca e ka konsideruar si fyese për institucionin e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri Rama, i cili, në fjalën e tij e vuri theksin tek siguria kombëtare, si një ndër prioritetet e qeverisë së tij dhe tek reforma në të gjithë instrumentet e sigurisë.
Kryeministri u shprehu mirënjohje edhe atyre që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Se sa e rëndësishme është aleanca e Shqipërisë me shtetet e tjera të NATO, Rama e ilustroi me një shprehje të presidentit amerikan Barak Obama dhe me shembullin e Ukrainës, teksa e konsideroi bashkimin e Krimesë me Rusinë si ndryshim arbitrar të kufinjve.