Më 30 Tetor, pak ditë më parë në emisionin “Stop” u transmetua një problematikë në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3, ku prej 6 muajsh nuk funksiononte pajisja e matjes së dendësisë së kockave.

Këtë emisioni “Stop” e provoi edhe me kamerën e fshehtë, ku punonjës të Poliklinikës e pranuan që pajisja nuk punon, por nuk dinin se kur do të rregullohej.

Madje shumë pacientë u detyruan, që t’i drejtohen privatit, duke paguar nga 40-77 mijë lekë të vjetra, në varësi të zonës së ekzaminuar.

“Stop” takoi drejtoreshën e Poliklinikës Lidra Zikaj, e cila tha, se ishte në dijeni të problemit dhe që në maj i kishte bërë shkresë ministrisë së linjës. Ajo premtoi, që në fillim të nëntorit pajisja do të rregullohej.

E në fakt, pas transmetimit në “Stop”, brenda 24 orësh pajisja u rregullua dhe titullarja Lidra Zikaj fton të gjithë pacientët të shkojnë për vizita.

Lidra Zikaj: Përshëndetje! Brenda 24 orëve u rregullua aparati i matjes së dendësisë së kockave pranë Poliklinikës së Specialiteteve numër 3 dhe menjëherë kemi njoftuar pacientët që të marrin shërbimin e duhur pranë kësaj poliklinike. Duke marrë shkas që keni ardhur dhe ju, ftoj të gjithë pacientët të kryejnë këtë ekzaminim./tvklan.al