Autoritetet më të larta të vendit bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, në përkujtim të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë.

Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u përulën me respekt para kujtimit të dëshmorëve si dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

Prej 7 Prillit të vitit 1939 e deri më 29 Nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në Vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.

Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 Nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.

Kryeministri Rama e ka kujtuar këtë ditë duke postuar foton e Diansit, vogëlushit që erdhi në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” .

Ndërkohë, Presidenti Bajram Begaj shkruan se 80 vite më parë vendi ynë doli trimfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë.

Edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka uruar shqiptarët në këtë ditë të veçantë, duke shprehur mirënjohje për ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët, thekson Hoxha, u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.

Klan News