Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë bisedës në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan u ndal edhe tek ngjarjet kriminale të cilat akoma nuk janë zbardhur.
I pyetur nga gazetari Spartak Koka se çfarë do të bëhet me këto ngjarje dhe a është kërkuar llogari tek personat përgjegjës, Balla u shpreh se ai sa herë shkon në analizat në drejtoritë vendore paraqet të gjitha dosjet e ngjarjeve
Spartak Koka: Zoti Balla në tre operacionet e SPAK që nga Korriku i vitit të kaluar për SKY ECC përplasja e grupeve kriminale përmend aty shumë ngjarje dhe mesa kuptojmë në pjesën më të madhe të këtyre grupeve që përplasen dhe ngjarjeve të ndodhura policia gjatë këtyre viteve ka qenë pothuajse inekzistente dhe po ju përmend disa ngjarje dhe doja t’iu pyesja çfarë do të bëni ju? A ju keni kërkuar llogari këtyre drejtuesve që i keni gjetur për këto ngjarje?
Blendi Fevziu: Cilat ngjarje, mi përmend ngjarjet më mirë.
Spartak Koka: Vrasja e Kastriot Reçit, tentative për vrasjen e Preng Gjinit, tentativa për vrasjen e Plaurent Dervishit, vrasje e Edison Harizajt, tentativa për vrasjen e Emiljano Shullazit, vrasje e Gazmend Çollakut, vrasja e Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij, vrasja e Gentjan Bejtjas, banakieres së Don Boskos, e Aleksandër Ndokës në Lezhë. E gjithë saga e vrasjeve në Rrëshen është e pazbuluar prandaj jemi aty ku jemi ku ka bashkëpunuar policia e asaj kohe. Tentativa e vrasjes së Durim Bamit te Ura e Tapizës, vrasja e Santiago Malkos, rrëmbimi i Enver Stafukës, plagosja e vëllezërve Mumajesi në Kinostudio dhe vrasje e Gjin Ndojit, Ilias Çalit, e janë të gjithë këto personazhe që përplasen me njëri-tjetrin dhe policia…
Blendi Fevziu: Tani që një pjesë prej këtyre janë zbardhur nga përgjimet a i keni kërkuar policisë llogari se përse nuk ka pasur asnjë informacion.
Taulant Balla: E para është që në atë dosje ka shumë punë të kryer nga Policia e Shtetit. Mos e harro asnjëherë zoti Fevziu që edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që ka rregulluar mënyrën e përdorjes si provë të komunikimeve është që në rast se komunikimet në këto dy aplikacione nuk përputhen me prova të tjera hetimore ato komunikime nuk vlejnë. Po ju marr dosjen “Metamorfoza” që është një dosje e kompletuar. Nëse i hidhni një sy dosjes komunikimet nuk do të kishin asnjë vlerë nëse falë punës së policisë dhe prokurorisë Shkodër për hetime të mëparshme ato nuk do të ishin ndërlidhur. Kështu që në këtë aspekt unë sa herë shkoj në të gjitha analizat në të gjitha drejtoritë, shkoj me një dosje për të gjitha dosjet e vjetra të pazbuluara në atë drejtori vendore.
Ndër të tjera Balla theksoi se vrasjet po pakësohen dhe shprehet besimplotë për finalizimin e dosjeve të tjera të rëndësishme.
Taulant Balla: Rezultatet flasin vetë. Vrasjet po pakësohen dhe grupet kriminale po pakësohen. Biem të gjithë dakord që jemi në një moment revanshi dhe unë besoj dhe shpresoj që në javët në vijim prokurorët të finalizojnë edhe dosje të tjera të rëndësishme hetimore me informacionet që kanë dhe me ato që po vijnë./tvklan.al