“A ka marrëveshje Nano-Berisha”? Kjo është një temë sa e përditshme dhe e diskutuar aq edhe e pa definuar. Raporti mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, dy personazheve më të rëndësishëm të politikës shqiptare të 12 viteve të fundit rilindi në Qershorin e këtij viti pas marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit Alfred Moisiu. Pas marrëveshjes për çështjen e Presidentit nuk ka pasur një marrëveshje të shkruar, megjithatë në seancën e fundit parlamentare ku u diskutua raporti i komisionit Ngjela, të gjitha akuzat konsistonin në një marrëveshje Nano-Berisha që po nxjerr jashtë politikës segmente të caktuara politike.
Për të diskutuar lidhur me temën ishin të ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan analistët Fatos Lubonja, Armand Shkullaku, Mero Baze, Artur Zheji dhe në lidhje lidhje direkte deputetët Spartak Ngjela i PD dhe Petro Koçi i PS.
Sipas Zhejit marrëveshja nuk është e domosdoshme të jetë e shkruar por ka një dialog që po institucionalizohet.
“Mendoj që ky dialog i institucionalizuar ndoshta është faktor jo thjeshtë i një marrëveshje bizantine siç shpesh interpretohet, por faktor i një presioni shumë të madh të brendshëm apo të jashtëm për të ndërruar komunikimin nga konfliktual në të dialoguar. Kjo që po ndodh është një muzikë e shumëdëshiruar pas kohëve të errëta ’97-98 dhe që po cingëris përsëri”, tha Zheji.
“Sigurisht që ka një marrëveshje për sa kohë kemi një opozitë që mbështet armikun e tij tradicional të këtyre 12 viteve”, tha Shkullaku. /tvklan.al