Administrata e Presidentit Trump ka kaluar nga denoncimet publike për keqpërdorimin e fondeve të USAID-it në disa shtete, në veprime konkrete hetimore. Një grup prokurorësh është dërguar në Ballkan për të hetuar projektet që janë financuar deri tani me fondet e taksapaguesve amerikanë.
Në krye grupit të prokurorëve është ish-prokurori federal Martin De Luca. Ai ka nisur nga Sarajeva hetimin ku rezulton se vetëm në katër vitet e fundit janë shpenzuar me projektet e USAID-it me OJQ-të e ngritura nga fondacioni Soros rreth 402 milionë Dollarë, prej të cilave 250 milionë nuk mund të përcaktohet se ku janë zhdukur.
“Në katër vitet e fundit, këtu janë disbursuar 402 milionë Dollarë përmes programeve të ndryshme. Prej tyre, 150 milionë Dollarë mund të justifikohen, dhe rreth 250 milionë Dollarë mbeten të pajustifikuara, gjë që na ngre dyshime për korrupsion. Këto janë para nga qytetarët amerikanë. Ekipi im tashmë po heton operacionet e USAID-it edhe në shtetet e tjera të rajonit e më gjerë. Presidenti Trump është shumë i vendosur që ne të zbulojmë sa më shpejt gjithçka që ka ndodhur me keqperdorimin e këtyre fondeve. Jemi të vetëdijshëm se pjesa më e vështirë e misionit tonë është marrja e provave ndaj kërkojmë bashkëpunimin e autoriteteve në këto shtete.”
Një ditë më parë, Komiteti për Mbikqyrjen dhe Reformat në Qeverisje në Kongresin Amerikan, i ngritur me inicitativën e Elon Musk, në seancën e titulluar “Amerika e fundit: Si ndihma e huaj minoi interesat e SHBA në mbarë botën” u vu theksi tek fondet që USAID ka dhënë për shoqatat e komanduara nga George Soros me qëllim propagandën dhe luftën politike. I thirrur të dëshmonte, gazetari investigativ Tyler O’Neil tha se në Shqipëri paratë e taksapaguesve amerikanë janë përdorur për të bërë ndryshime në gjyqesor, të cilat rezultuan me goditjen liderit të opozitës, Sali Berisha.
“Fondacionet për Shoqërinë e Hapur dhe USAID kanë bashkëpunuar gjithashtu në mbështetjen e “East Ëest Management Institute”. Ndër të tjera instituti nxiti ndryshime gjyqësore në Shqipëri që kritikët pretendojnë se rezultuan në përndjekjen e liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, duke i mbyllur gojën kundërshtarit të kryeministrit socialist të vendit”, shkruan gazetari i “The Daily Signal”, Tyler O’Neil.
Deklaratat e tij u mbështetën edhe nga kongresistja e njohur amerikane, republikania Marjorie Taylor Greene, që bashkëdrejton këtë komision.
“Pyetjet e vërteta, përgjigjet e të cilave duhet t’i dinë qytetarët amerikanë, janë këto:Pse USAID është përfshirë në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri që rezultuan në përndjekjen e liderit të opozitës shqiptare?”, shprehet kongresmenia amerikane Marjorie Taylor Greene.
Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, Donald Tramp firmosi një urdhër për pezullimin e ndihmës së huaj nëpërmjet USAID në mbarë botën duke argumentuar se paratë e taksapaguesve po shpërdoroheshin ose mbështesin agjendën politike të Soros. Ndërsa ambasada amerikane konfirmoi pak ditë më parë ndërprerjen e fondeve që jepte USAID për vendin tonë.
Tv Klan