Pandemia dështoi ankandet për shitjen e naftës
Kompania publike e prodhimit të naftës Albpetrol, ndodhet në situatë të vështirë financiare, e krijuar si pasojë e situatës që ka shkaktuar pandemia e Covid-19, por edhe paralizimi i rafinerisë vendase të përpunimit të naftës.
Enti Rregullator i Energjisë prej 1 viti ka kërkuar raportet financiare të shoqërisë për të studiuar mundësinë e pajisjes së saj me licencë në aktivitetin e furnizimit me gaz natyror, por dokumentacioni nuk i është vënë në dispozicion, ndërsa shoqëria ka pranuar vetë problemet e rënda financiare me të cilat po përballet.
Në një shkresë drejtuar ERE-s, Albpetrol shprehet se ka detyrime ndaj shtetit dhe palëve të treta për kontrata shërbimesh, pasoja të cilat kanë patur si shkak dështimin e ankandeve të naftës bruto përgjatë gjithë vitit 2020, si rrjedhojë e rënies së konsumit nga pandemia.
Për herë të fundit Albpetrol arriti të shesë një sasi me vlerë 30 milion dollarë në maj të vitit 2019, ndërsa sasitë të nxjerra në treg në 2020 dështuan.
Në gusht të vitit që shkoi edhe pse një sasi nafte u shit, kompania blerëse nuk arriti të ekzekutojë pagesën, ndërsa shoqëria ka rihapur sërish një ankand për shitjen e një vlere rekord prej 158 mijë ton nafte.
Tv Klan