Spitali i Laçit do të ketë së shpejti një sallë operacioni për t’iu përgjigjur traumave të shkaktuara nga aksidentet e shpeshta rrugore ne aksin Fushe Kruje-Lezhe, ose siç njihet ndryshe si superstrada e vdekjes.

Ngritja e kësaj salle kirurgjikale u njoftua nga Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë konferencës së shoqatës anestezi-reanimacion dhe shoqata e dhimbjes.

Anila Godo: “Konferenca të tilla të mund të ndihmojnë edhe institucionin qendror për të hartuar strategjinë në çfarë standardesh, në çfarë nivelesh ne na duhet të zhvillojmë anestezi reanimacioni. Nuk është në strategjitë tona që rrethe të vogla si Laçi të kenë mjaft të zhvilluar kirurgjinë, sallat e operacionit, dmth, në këtë sektor. Megjithatë në një mbledhje të gjerë u tha dhe kishin shumë të drejtë që Laçi është në një pikë ku furnizohen trauma pothuajse çdo ditë, pra ne po i mbështesim, tashmë kanë filluar, për të ngritur sektorin e tyre dhe me një sallë për t’iu përgjigjur sa më shpejt traumave të ndryshme”.

Duke folur për anestezinë dhe rëndësinë e saj në operacione, ministrja u ndal tek rëndësia e përcaktimit të nevojave të çdo spitali rrethi apo rajonal për zhvillimin e sektorit të kirurgjisë të anestezisë e reanimacionit./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami