Arabia Saudite ka propozuar një rezolutë, në të cilën u kërkohet të gjitha vendeve të konferencës islamike te njohin në mënyrë të menjëhershme pavarësinë e Kosovës. Statusi i shtetit më të ri në Ballkan ka qenë në fokus të konferencës që 19 vende të botës islame po zhvillojnë në Damask.
Nëse kjo rezolute do të pranohet atëherë pritet që vendet islamike të njohin në bllok pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, mediat serbe shkruajnë se Serbia po bën gjithçka për të penguar këtë iniciativë. Përmes mjeteve diplomatike, Beogradi zyrtar po mundohet të propozojë ndryshime në rezolutën e propozuar.
Arabia Saudite njohu pavarësinë e Kosovës më 5 prill, duke u bërë kështu vendi i 58-të në listën e vendeve që njohin sovranitetin e shtetit më të ri në botë. Vetëm pak ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Kosovë, zv/presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk do të ketë kurrë një ndarje të Kosovës, duke i vënë kështu nga njëra anë limite Serbisë, e nga ana tjetër duke shprehur mbështetjen e qartë të shteteve të bashkuara për shtetin e ri të Kosovës./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj