Arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Marti Ahtisari, u nderua sot  në Oslo të Norvegjisë me çmimin Nobel për Paqen për vitin 2008. Ish presidenti Finlandës pranoi çmimin prej 1.2 milionë dollarësh nga kreu i komitetit të Nobel, Ole Mjoes në një ceremoni ku merrnin pjesë njerëz të shquar të artit diplomacisë dhe fushave të tjera.

71 vjeçari në fjalimin e tij bëri thirrje për zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit në lindjen e mesme.

Marti Ahtisari: “Luftërat dhe konfliktet shkaktohen nga njerëzit, ato janë të paevitueshme. Roli i negociatorit është i kombinuar me atë të pilotit të anijes, mikut konsultues, mamisë dhe mësuesit, por le të mos harrojmë se Paqja të nderuar zonja dhe zotërinj është një çështje vullneti.”

Për 30 vjet hartuesi i pavarësisë së Kosovës, ka punuar për paqen në botë. Veç Prishtinës ai është fokusuar edhe në procesin e paqes në Namibi, Indonezi dhe Irlandën e Veriut.

Në prag të ceremonisë Ahtisari i kërkoi Serbisë që përpara se të hyjë në Bashkimin Evropian të pranojë gabimet e bëra në Kosovë.

Diplomati finlandez këmbënguli se Kosova është e pavarur, ajo është e pakthyeshme, pavarësisht nga kundërshtimi i Serbisë dhe aleatëve të saj.

Pas marrjes së çmimit Nobel për Paqen ka qenë presidenti Fatmir Sejdiu që i ka dërguar Ahtisarit një telegram urimi ku thuhet se Kosova është mirënjohëse për punën e madhe urtësinë dhe largpamësinë e treguar në procesin për pavarësinë./tvklan.al