U nënshkrua në Tiranë marrëveshja që i kalon pronësinë e 85% të aksioneve të kompanisë ARMO konsorciumit që u shpall fitues në garën e privatizimit. Për palën shqiptare ka nënshkruar Zv/Ministri i Ekonomisë, zoti Neritan Alibali ndërsa për Konsorciumin, Anika Enterprises, Mercuria Energy Group dhe Refinery Associates of Texas, zoti Rezart Taçi.
Neritan Alibali: “Ishte një proces shumë transparent, shumë i mbështetur në ligj dhe shumë i drejtë. Tashmë shumë prej 128.750 eurosh janë dorëzuar nga konsorciumi”.
Rezart Taçi: “Mbasi përfunduam këtë operacion financiar dua t’ju themi dhe punonjësve dhe stafit të ARMO-s që konsorciumi ka vendosur të bëj dhe një shpërblim për gjithë punën e bërë prej punonjësve dhe stafit të ARMO-s këto vitet e fundit, duke bërë një pagesë prej 2 muajsh rrogë shpërblim”.
Përfaqësuesi i Konsorciumit, garantoi respektimin e planit të biznesit dhe investimin e 240 milionë dollarëve gjatë 5 viteve në vijim./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro