Analisti Artan Hoxha i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan u shpreh se në gjithë intervistën e tij Arben Ahmetaj në tërësinë e gjërave nuk bëri gjë tjetër veçse mblodhi çfarë është thënë gjatë kësaj kohe dhe e tha me gojën e vet dhe e vetmja gjë e re ishte deklarata që tha për Mirel Mërtirin.

Ndër të tjera Hoxha tha se duke mos qenë një i penduar Ahmetaj e humbet forcën e akuzës së vet, por duke qenë i kërcënuar rifiton dhe besimin që ai është i kërcënuar ja ka dhënë shteti që po i trajton kërkesën për azil.

Artan Hoxha: Në intervistën e Arben Ahmetajt unë pashë dy Arben Ahmetaj, një që është nën akuzën e prokurorisë dhe tjetri nën terorin e kryeministrisë. Te kjo e dyta jo se e besoj verbërisht Arben Ahmetajn, por nga ana tjetër edhe nuk mund të mos e besoj automatikisht atë në atë ndjesinë që përçoi si një njeri nën kërçënim si nga Kryeministri dhe enturazhi i tij qoftë me mjetet e kërcënimit të fortë qoftë me mjetet e intrigës dhe ky ishte për mua aspekti më dramatik dhe më i ri në kuptimin e prononcimit dhe sjelljes publike të Arben Ahmetajt lidhur me gjithë çështjet dhe them që nuk e rrëzoj apriori pavarësisht se nuk e besoj apriori sepse kur thotë që më kanë telefonuar nga burgu është një gjë e verifikueshme.

Arben Ahmetaj nën akuzë këtu nuk patëm ndonjë gjë të re dhe unë sapo e pashë formulimin e prokurorisë pashë një gjë që këta nuk po hetojmë veprën penale që ka bërë Arben Ahmetaj këta janë në kërkim të thesarit, pra çfarë parash ka fituar. Për ta përmbledhur Arben Ahmetaj në tërësinë e gjërave nuk bëri gjë tjetër përveçse mblodhi çfarë është thënë dhe e tha me gojën e vet. E vetmja gjë e re që nuk ishte thënë është ajo që tha lidhur me Mërtirin. Kjo ishte gjë e re.

Blendi Fevziu: Kam bindjen tha, nuk tha që di dhe bindja nuk hetohet dot.

Artan Hoxha: Edhe gjërat që i di i thotë sikur i konkludon jo sikur i di në kohë sepse ai nuk është një i penduar që të rëfejë ç’ka ditur sepse duhet të pohojë se i ka ditur dhe duhet të pohojë edhe krimin e vet. Ai nuk është një i penduar ai është në mbrojtje, biles edhe në arrati edhe për shkak të arrestit që i duket i padrejtë në raport me ngjarjet e tjera edhe për shkak të kërcënimit që ai pretendon që ka për të deri tek fëmija. Duke mos qenë një i penduar e humbet forcën e akuzës së vet, por duke qenë i kërcënuar rifiton dhe besimin që ai është i kërcënuar ja ka dhënë një subjekt, shteti që po i trajton kërkesën për azil./tvklan.al