I pyetur se cilat janë pikat më të forta të trashëgimisë kulturore në vendin tonë eksperti Auron Tare, i cili është pjesë e Këshillit Shkencor të UNESCO, përmes një lidhje Skype në emisionin Opinion në Tv Klan cilësoi diversifikimin.

Ndër të tjera ai u shpreh se Shqipëria ka shumë monumente kulturore, por problemi është që ato nuk markohen, gjë që e bën të vështirë njohjen nga njerëzit

“Diversifikimi, domethënë ne kemi qenë një udhëkryq dhe për këtë arsye kemi një sasi shumë të madhe të periudhave të ndryshmë historike, por kemi një problem që këto e para nuk markohen. Shiko çfarë ndodh në Sarandë, një fluks i paparë shkojnë të gjithë në Butrint, të cilët po e dëmtojnë qendrën me numrin e madh të vizitorëve. Ti ke në Sarandë 112 monumente të Kategorisë së Parë. Ke Finiqin, një nga qendrat më të rëndësishme të historisë së Ballkanit me akropolin shtatë herë më të madh nga ai i Athinës, të cilin jo të huajt po nja 10 shqiptarë mund ta dinë nga Tirana dhe askush tjetër nuk e di Finiqin dhe nuk shkon njeri.”

Gjatë fjalës së tij Tare gjithashtu ka përmendur edhe Vijën Egnatia si një pikë shumë të rëndësishme në trashëgiminë kulturore, por thekson faktin që në vendin tonë nuk ka asnjë tabelë që e tregon atë.

“Ke Vijën Egnatia e cila fillon nga Durrësi dhe shkon në Kostandinopojë dhe Spanja bashkë më Francën krijuan një rrugë murgjish, kur vija Egnatia është një nga rrugët më të rëndësishme të botës dhe ne nuk kemi një tabelë.”/tvklan.al