Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën, njoftoi në rrjetet sociale Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas informatave brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës, Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – është ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe është dërguar për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Brendshme të Serbisë për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.

Zulfaj tha gjithashtu se autoritetet serbe i kanë nisur “arrestimet masive” pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe se po i mbajnë “peng të gjithë”.

Nadalimi i Jankoviqit vjen në të njëjtën ditë kur Ministria e Jashtme e Kosovës tha të mërkurën herët se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar si “të pabaza” akuzat e autoriteteve kosovare se ajo ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj.

“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë dhe sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare”, tha Ministria serbe.

Ekipi i REL-it, i cili ishte në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë, Batrovci, nuk u lejua të filmonte, me arsyetimin se nuk kishte leje për ta bërë këtë. Kërkesa e REL-it, e cila u dërgua disa orë para mbërritjes në vendkalim, nuk ka marrë ende përgjigje.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJK) ka deklaruar se për çështjen e paraburgimit të qytetarëve të Kosovës në Serbi u është drejtuar vendeve të QUINT-it – Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Ata shprehën pritshmërinë se situata “do të përfundojë shpejt”.

MPJK tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tashmë kishte paralajmëruar për “këto veprime hakmarrëse”.

Vuçiq paralajmëroi më 14 prill se çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë “do të arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”.

Ai i bëri këtë paralajmërim duke folur për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit prej Zveçanit, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 13 prill.

Policia e Kosovës tha më 13 prill se e ndaloi Sofronijeviqin në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra.

Vuçiq tha gjithashtu se tani “të gjithë ata që e shkelin” rendin kushtetues të Serbisë, kushdo që merr pjesë në të në çfarëdo mënyre, përmes protestave, demonstratave apo mjeteve të tjera, do të mbahet përgjegjës. /REL