626 diga të sistemit të ujitjes dhe kullimit në tokat bujqësore janë në gjendje teknike të vështirë. Nevoja e ndërhyrjes në to është emergjente. Alarmin për këtë situatë e jep Avokati i Popullit, zyra e të cilit ka siguruar të dhëna konkrete pas një hetimi disa mujor në shkallë republike. Dobjani deklaron se këto diga janë amortizuar dhe përbejnë një rrezik real për fshatra dhe banesa të ngritura pranë tyre.
Ermir Dobjani: “Rezulton që në rreth 620 e ca rezervuare të ndërtuara në Shqipëri, pothuajse në të gjithë territorin e vendit, sidomos në zonat e ultësirave bregdetare dhe zonave kodrinore, ka rezervuar uji që janë ndërtuar më parë se 20 vjet, të cilët rrezikojnë jetën e banorëve sidomos të atyre fshatrave që janë ndërtuar ose të banesave që janë ndërtuar rrëzë tyre, ose ndodhen në afërsi të tyre. Rasti konkret ishte në komunën e Kryevidhit ose të Synejit të Kavajës ku në qoftë se do të shpërthente rezervuari me 1 milion metra kub ujë do të përmbyste besoj një pjesë të madhe të fshatrave të zonës rreth e rrotull.”
Për situatën është vënë në dijeni edhe ministria e Bujqësisë. Fondi i miratuar nga qeveria, për këtë vit është 2 milion dollarë. Por sipas Dobjanit, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për të rritur sigurinë e digave.
Ermir Dobjani: “Unë nuk dua të përhap panik, por faktikisht situata në qoftë se ndodhi sot në Kryevidh nesër mund të ndodhë në një zonë tjetër të vendit. Prandaj është momenti që organet e administratës ministria e Bujqësisë që ka evidenca dhe që ka statistikat e sakata dhe vendndodhjet e këtyre duhet të jetë më aktive në kërkesën ndaj qeverisë dhe parlamentit.”
Pak muaj më parë, komisionarë të avokatit të Popullit, bënë publik për tv Klan një liste të detajuar me digat dhe dambat e kthyera në burim rreziku, pasi prej vitesh ato nuk mirëmbahen. Korporata elektro energjetike, e cila i ka këto objekte në administrim, ka evidentuar gjithashtu si shqetësim të përhershëm ndërtimet pa kriter të bëra poshtë digave./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani