Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi deri të hënën do të jetë në rrezik për jetën referuar komunikimit që ka pasur me doktorët e tij. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla ka deklaruar se në rastin e dhunës ndaj avokatit bëhet fjalë për një konflikt të vjetër teksa ka shtuar se ka diskutuar me një koleg të tijin se si ka mundësi që nuk është sinjalizuar Policia e Shtetit më përpara.
Blendi Fevziu: Sokol Mëngjesi një avokat i njohur është goditur në mes të Tiranës. Nëse goditet një person në mes të Tiranës, cili nga ne ka siguri në qytet?
Taulant Balla: Unë i bashkohem gjithë shqetësimit lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe shpresoj që Mëngjesi ta kalojë këtë moment të rëndë. Kam komunikuar dhe me doktorët që po kujdesen. Deri të hënën mendoj se do të jetë në rrezik për jetën, nëse kalon dhe e hëna, do ta kalojë tërësisht këtë, e konsideroj të rëndë ngjarjen. Ju thatë që në Sllovaki u sulmua kryeministri po në një shesh dhe qendër qyteti. Na duhet që të parandalojmë në rastin në fjalë, sikurse ja kam thënë një prej kolegëve, do të kishte qenë mirë… Bëhet fjalë për një konflikt të vjetër, të akumuluar për të cilin me njërin nga kolegët kam thënë se si ka mundësi që nuk është sinjalizuar Policia e Shtetit, bëhet fjalë për konflikt disamujor. Kjo është një ngjarje e rëndë, por brenda disa orëve, Policia e Shtetit falë dhe informacionit të kolegëve, kemi arritur të kemi të arrestuar edhe autorin kryesor, edhe porositësin. Një ngjarje e tillë është vështirësisht e vështirë ta parandalosh nëse nuk ke sinjalizime paraprake. Qytetarët, konflikte ose rreziqe të tilla duhet t’i sinjalizojnë në kohë. Vetëm në 5-mujorin e këtij vitit falë sinjalizimit, janë parandaluar 71 ngjarje kriminale të rënda.
Blendi Fevziu: 3 persona janë ende në kërkim…
Taulant Balla: Personi kryesor që ka goditur dhe i përfshirë në organizimin e kësaj ngjarje janë të ndaluar. Persona të tjerë janë të përfshirë, njëri ka shoqëruar me makinë. Kam pasur një komunikim në mesditën e djeshme me të gjithë drejtuesit e policisë dhe e kam bërë të qartë se e djeshmja ka qenë një test i rëndësishëm për Policinë e Tiranës ku janë përfshirë të gjitha strukturat e policisë dhe po ashtu reparti RENEA. Më vjen mirë që edhe personat me “background” kriminal se kur del në rrugë RENEA, zgjedhin të dorëzohen.
/tvklan.al