Gjatë seancës së sotme në parlament ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u përfshi në debat me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Fillimisht Balla, akuzoi opozitën se kanë kushtëzuar votën edhe për të rregulluar disa afate sa i përket votës së diasporës. Ai i tha Berishës se gënjeu sy për sy sa i përket numrit të shqiptarëve të diasporës që i kanë skaduar dokumentet e identifikimit. E këtu bëri krahasimin e Berishës me Lulzim Bashën.
“U gënjye sy për sy nga dikush që nuk i vjen kurrë turp të gënjejë. Janë 500 mijë thotë në relacion, pse thua 800 mijë? S’paska faj ai tjetri kur bënte 7×7 se e paska nga babai, qenka sëmundje e trashëguar. Megjithatë unë nuk dua kurrsesi të hyj në këtë debat dhe kurrsesi nuk mund të hyjë të fillojë në ato tregimet haluçinante këtu se ku është ky, se ka marrë vesh që këtu është kompjuteri, këtu është laptopi, këtu është telefoni. Këto janë muhabete kot të një njeriu që e ka humbur davanë prej vitesh”, tha Balla.
Ministri u shpreh se është krenar për mandatin e qeverisë socialiste, sipas të cilit ka bërë një transformim epokal edhe të sektorit të shëndetësisë. Sa i përket zgjedhjeve, paralajmëroi demokratët për një rezultat që as nuk e kanë imagjinuar në ëndrra.
“Meqë ju shoh këtu që jeni në atë fazën që gënjeni veten se e dini ça ju pret në 11 Maj, se ju pret diçka që nuk e keni imagjinuar dot as në ëndrrën më të keqe. Ëndrrën më të keqe, se ju jeni pak më të rinj këtu, por njëri e ka kaluar në ’97 e ka parë si ka dalë. Rezultatin e vitit 2025 ende nuk arrini ende ta perceptoni dot. Nuk flas vetëm për votat në Shqipëri, por edhe për vëllezërit e motra tona të diasporës. Kur i pyet bashkatdhetarët kush është arsyeja pse do të votosh për PS është sepse tani ndihemi krenarë që jemi shqiptarë”, tha Balla.
Fjalën e përmbylli me një barsaletë: Vazhdoni fërkoni gjoksin se e dini çfarë ju pret.
Përgjigje i ktheu menjëherë Sali Berisha. Ai lexoi nga foltorja disa rreshta nga përgjimet që sipas tij i përkasin dosjes “Toyota Yaris”.
“Jeni katandisur aty ku e meritoni. Por unë meqenëse ky sot tha nuk quhem Tao, por quhem krenar do ju lexoj pak disa rreshta prej tij. “Daupaj: s’do t’i bëj nder Ballës unë. Radovan Çela: Këto ditë po më pyet, do jetë prapë Balla, apo do jesh ti? Vladi”. Vladi është ai që priste 5 mln euro në Durrës. “Ok se flas unë, por të na tregojë mënyrën si do ta mbyllë”. “Radovan Çela: Nga Tao, Tao”. Ja pra kush është Tao që rreh gjoksin këtu. Ja pra ku e keni. “Nga Tao Tao dhe thotë se i ka në rregull letrat Tao”. “Radovan Çela: Se bundrra luan edhe me Taon”. E kuptoni sa e rëndë është ajo. “Jo thotë, bundrra do t’ia marrë. E ke gabim, kësaj radhe do t’ia marrë””, tha Berisha./tvklan.al