Me ngjitjen e demokratëve në foltore, seanca plenare u ndërpre për të dytën herë rradhazi.

“Kërkoj 2 minuta pushim, të pastrohet foltorja se nga nervat e ka bërë pis.”

Opozita e cilësoi projektbuxhetin e vitit 2025 si dëshmi të korrupsionit galopant të qeverisë, ndaj i bëri thirrje pensionistëve të mos gënjehen nga premtimet elektorale të kryeministrit Rama.

“Të thoshte sa është fondi në buxhet për rritje pensionesh. Zero. Pensionistët mendon se do t’i mashtrojë duke ndarë një buxhet minimal, duke i dhënë bonusin e fundvitit që e japin të gjithë vendet e rajonit. Ndërsa zotëria e bën njëherë në 4 vite. As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025, sepse nuk ka ndërmend t’a japë, ju gënjen.”

Gazment Bardhi hodhi poshtë rritjet treshifrore të kryeministrit edhe për pagat.

“Po thotë ky kam rritur fondin e pagave, po more e ke rritur, sepse në kohën tonë kishte 98 mijë punonjës në administratë kurse ti ke 200 e ca mijë patronazhistë që të duhen për vota.”

Për demokratët libri i financave të qeverisë për vitin që vjen është i zi për shqiptarët, pasi të ardhurat e qytetarëve shkojnë në duart e miqve të kryeministrit.

“U shërben një grushti njerëzish që kanë kapur këtë qeveri, që kanalizojnë çdo qindarkë në xhepat e tyre dhe mbysin tregun e lirë. Ky është një buxhet për oligarkët, për të pasurit, por jo për ata që mezi shtyjnë muajin.”

Edi Rama i etiketoi si mbeturina e humbës, por Gazment Bardhi përgjigjen i’a ktheu në mungesë të këtij të fundit në parlament.

“Se kush është mbeturinë dhe se kush është i palarë që qelbet erë 3 kilometra nga momenti ku është, atë e di çdo shqiptar. Shko priji thonjtë, shko lahu, kurohu dhe pastaj hajde bëj kryeministrin e Shqipërisë.”

Seanca maratonë e Kuvendit nuk kaloi pa debate, ku në mungesë të përgjigjeve nga Ministri i Financave Petrit Malaj opozita bllokoi për pak minuta foltoren, për t’iu rikthyer më pas normalitetit.

Tv Klan