Një lajm i rremë u shndërrua në një shans të artë për Lulzim Bashën që të merrte vëmendjen e shumicës së mediave në vend. Lajmi, që askush nuk e kishte vënë re, fliste për një aksident ku Basha kishte humbur jetën.

Por “Demokrati Euroatlantik” e përgënjeshtroi atë që herët në mëngjes duke u thënë ndjekësve të tij në rrjetet sociale se është gjallë!

Duke u shfaqur si një martir që shpëton Shqipërinë nga “forcat e liga”, Basha u përpoq t’i bindë ndjekësit se pas këtij lajmi qëndrojnë armiq të kombit dhe të integrimit europian.

“Ndoshta disa do të trishtohen, por ndryshe nga lajmi i rremë që është përhapur, jam gjallë e mirë dhe nuk kam vdekur në një aksident automobilistik. Njerëzit që duan që të përhapen këto lajme të rreme, janë po ata që duan të shkatërrojnë Shqipërinë. Unë dhe ju nuk do t’i lejojmë!”.

Por askush nuk u mor me këtë lajm seriozisht, përveç protagonistit, derisa ai u kthye në një rast shpotish e memesh online, pas një postimi ironik të kryeministrit Rama. Kreu i qeverisë e shfrytëzoi këtë rast për thumbimin e radhës, edhe pse postimi u shoqërua me fjalë plot kujdes dhe zemra.

“Mos e prish gjumin për kaq gjë, ty të marrin të keqen.”

Mesa duket edhe Ramës i ka munguar Basha, ndoshta ngaqë skena politike është bërë pak monotone pa humorin që shkaktonte ai jo rrallë.

Tv Klan