Dy kandidatët në garën për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami dhe Lulzim Basha kanë debatuar në Shkodër me anëtarësinë në një takim me dyer të mbyllura për median.
Kur kanë mbetur vetëm katër ditë nga mbajtja e zgjedhjeve për kreun e partisë, Eduard Selami ka ashpërsuar tonet ndaj Lulzim Bashës duke e akuzuar se në katër vite të drejtimit të tij e ka kthyer Partinë Demokratike si Partia e Punës.
“
Kemi pushuar së funskionuari si Parti Demokratike. Jemi bërë vetëm partia e kryetarit. Jemi kthyer në atë kohën e vjetër të Partisë së Punës që po të ikë ky, duket sikur gjithçka merr fund. Jo. Zhgënjimi im më i madh ka qenë me modelin Basha që kam mbështetur, që Partia Demokratike ka qenë më pak demokratike edhe në momentin që e mori, me atë që e la z.Basha
”, tha Selami.
Por ndryshe nga rivali i tij në garë që pas disfatës së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit sheh mungesën e demokracisë dhe totalitarizmin e Lulzim Bashës në krye të partisë, kryetari i vetëngrirë humbjen ia faturon kundërshtarit të tij politik Edi Rama.
“Qindra milionë euro të drogës që derdhet lumë edhe sot. Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues. Ndaj njësoj si në ’91, këto zgjedhje nuk reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.
Ndërsa Eduard Selami thotë se kërkon një mandat nga demokratët për të ringritur Partinë Demokratike përmes hapjes së saj, Lulzim Basha thotë se do të vijojë projektin e republikës së re për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
/Tv Klan