Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Bashkia e Tiranës, ka denoncuar publikisht nëpërmjet nënkryetares Mimi Kodheli, sjelljen e përfaqësuesve opozitarë të komisionit të hetimit anti-Rama. Nënkryetarja Kodheli u shpreh, se e gjithë rrëmuja që po krijohet me Bashkinë e Tiranës është për qëllime politike, për të penguar projektet e zhvillimeve të kryeqytetit.
Sipas nënkryetares, të gjitha dokumentacionet që kërkohen nga bashkia, do të vihen në dispozicion të komisionit të hetimit, vetëm konform ligjit.
Mimi Kodheli:- “Jam sot këtu përpara jush, për të dënuar publikisht presionin anti-kushtetues, anti-ligjor dhe anti-etikë, të zotërinjve të opozitës, ndaj institucionit të Bashkisë së Tiranës dhe ndaj administratës tonë publike. Bashkia e Tiranës, nuk ka penguar, nuk pengon dhe nuk do të pengojë asnjë kontroll apo hetim kushtetues, për të gjithë veprimtarinë e saj. Por nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës nuk ka lejuar, nuk lejon dhe nuk do të lejojë askënd, që në emër të kontrollit apo hetimit, të marrë pengë institucionin në rrugë anti-kushtetues, anti-ligjor dhe anti-etike. Dokumentacioni i Bashkisë së Tiranës do t’i vihet në dispozicion komisionit hetimor parlamentar sipas ligjeve dhe rregullave në fuqi dhe jo sipas fuqisë së njërës palë, për të bërë shantazh ndaj institucioneve dhe njerëzve tanë. Së treti, për ne ka qenë e qartë qysh ditën e parë, se e gjithë kjo rrëmujë është thjesht politike dhe vetëm politike”./tvklan.al
Gazetare – Eva Paja