Në njësinë 4 në Tiranë, në zonën e Alliasit, bashkia nisi ndërtimin e këndit të 6 të lojërave për fëmijë. Kryetari Erion Veliaj inspektoi punimet dhe premtoi se projektet për ndërtimin e hapësirave për fëmijët do të vijojnë gjatë të gjithë verës.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës:
Këndi i lodrave te Liqeni ishte projekti më i anatemuar, sepse ishte projekti më i suksesshëm. Kjo do të thotë që atë sukses kemi nevojë ta përsërisim. Ne do të bëjmë edhe këndin te Liqeni, edhe këndet në lagje. Ndaj më vjen mirë, që sot fillojmë këndin e 6 të lodrave në Allias.
Kryetari i bashkisë i cilësoi si mjaft të rëndësishme edhe investimet në kulturë.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës:
Infrastruktura që shërben për kulturën komunitare, që i mban familjet e lidhura, që i inkurajon fëmijët të merren me aktivitet fizik, është ekzaktësisht vizioni që kemi për Tiranën.
Këndi i lojërave për fëmijët në njësinë 4 parashikon ndërtimin e një fushe sportive, ndërhyrjen në ndriçim dhe gjelbërim, si dhe shtimin e lodrave të tjera. Projekti do të përfundojë në fund të verës./T KLAN