Propozimi i Sali Berishës për unifikimin e opozitës ka qenë ndër më të diskutuarat në aktualitetin politik. Dhe pikërisht kjo temë është diskutuar edhe në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Lidhur me këtë ide të kreut të opozitës ka pasur kontestime dhe entuziazëm, por për të diskutuar më shumë detaje rreth saj ishin të ftuar në studio deputetët Spartak Ngjela, Dashamir Shehi, Prec Zogaj, dhe Genc Ruli. Ndërkohë në lidhje direkte ishte analisti Andi Bushati.

Sipas Ngjelës ideja e bashkimit është arsyeja për të tentuar normalisht drejt pushtetit në një kohë që qeverisja aktuale doli nga zgjedhjet e kontestuara.

“Bashkimi opozitar që ka vlera më të mira do ta përmirësonte opozitën dhe do të nxirrte shoqërinë nga kriza”, shtoi Ngjela.

“Gjithnjë ka qenë koha për bashkimin e opozitës, por pyetja është nëse ka kushte për këtë bashkim. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se kushtet nuk janë sepse janë të njëjta me ato që kanë qenë kur ne jemi shkëputur. Ajo që ka ndodhur tashmë është trishtimi i humbjes së vazhdueshme që i detyron njerëzit që të mendojnë se kështu nuk shkohet më përpara”, u shpreh Shehi.

“Ne duhet të shikojmë me përgjegjësi çështjen që të përballojmë luftën me maxhorancën me një mendim unik”, tha Zogaj./tvklan.al