Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni mbajti një protestë në Tetovë me moton, “Stop dhunës”, duke reaguar kështu ndaj atentatit të kryer ndaj Ali Ahmetit. Përfaqësuesit e BDI-së u shprehën se atentati ka revoltuar rëndë shqiptarët dhe është kulmi i brutalitetit shtetërorë dhe partiak që po instalohet me fillimin e fushatës parazgjedhore.

Në fjalën e tij kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se është kundër vrasjeve dhe incidenteve në këtë fushatë. Ai bëri thirrje për të ecur drejt së ardhmes dhe për t’i thënë po shqiptarisë.

Ali Ahmeti: “Ne jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë po së ardhmes, për t’i thënë po shqiptarisë. Mjaft terrorit psikologjik që nuk ka forcë që tremb, të largojmë nga rruga e amaneteve të mëdha”.

Menjëherë ka reaguar dhe PDSH e Menduh Thaçit, sipas të cilës protesta kishte si qëllim nxitjen e urrejtjes mes shqiptarëve. PDSH u distancua nga atentati ndaj Ahmetit dhe bëri thirrje për zbardhjen e ngjarjes.

“Të jetë tubimi i fundit i këtij lloji, ku nga ana e folësve si Ali Ahmeti e tjerë tentonin t’i frikësonin shqiptarët, tentonin t’ua kujtojnë qeverisjen famëkeqe të tyre me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë. Dënojmë aktet e dhunës dhe përfundimisht bëjmë thirrje për zgjedhjet të lira, të ndershme dhe demokratike”.

Në lidhje me këtë atentat policia ka arrestuar Farruk Iljazin./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle