Sali Berisha e cilësoi akt terrorist arrestimin e Ilir Metës, për të cilin më herët nga konferenca e përjavshme me gazetarët teksa hodhi akuza ndaj kryeministrit se ka tentuar deri eleminimin fizik të ish-Presidentit, nuk hezitoi ta cilësojë prangosjen e aleatit të tij persekutim politik.
Përpara anëtarëve të Kryesisë, Berisha tha se përmes arrestimit të Metës, Rama sikundër bëri edhe me Partinë Demokratike, po kërkon asgjësimin e Partisë së Lirisë.
“Narko-regjimi i Edi Ramës kreu një akt terrorist të vërtet. Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Edi Ramës, ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Parlamentit, kryetarin e partisë së dytë më të madhe opozitare, z.Ilir Meta, e gjitha kjo si përson nën hetim”.
Ndonëse demokratët e kishin paralajmëruar ditë më parë mbledhjen e Kryesisë për të diskutuar mbi vijimin e aksionit opozitar të mosbindjes civile, duket se arrestimi i Metës përshpejtoi mbajtjen e protestës së radhës. Datën e bëri të ditur vetë Sali berisha që kërkoi nga të vetët çdo sakrificë.
“Veprim, veprim dhe vetëm veprim, më datë 29 udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për paralizimin e plotë të këtij regjimi”.
Mosbindja civile e demokratëve do të shtrihet në pesë pika të ndryshme dhe ajo do të pasojë një tjetër protestë që deputetët e grupit parlamentar demokrat do të zhvillojnë në 23 Tetor para Parlamentit Europian ne Strasburg.
Tv Klan