Dëshmitë e dhëna në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për Sali Berishën diktojnë emergjencën e miratimit nga Kuvendi të ligjit për desorosifikimin e Shqipërisë.
“Është emergjencë kombëtare, pranojeni më mirë si e keqja më e vogël për ju se ai që do bëhet pas zgjedhjeve do ju dhembë shumë, do thoni po na persekuton”, tha Berisha.
Përgjigjen ia dha Pandeli Majko.
Edhe kjo e enjte, Edi Ramën nuk e gjeti në parlament, por Sali Berisha i kujtoi arsyen e fshehjes nga përballja me të, duke i përmendur tre dosje që tha se janë fundi i pushtetit të kryeministrit.
“Ku është Don Agaçio, ia mbath dhe thoni që është në intubim. Laptopi i tij është në prokurori, jeni të pashpresë, ndaj thirreni të vije sesa tu nxjerre laptopi një nga një. Problemi i dytë i tij është dosja McGonigal… dhe problem i tretë janë 10 milionët e Delina Ficos”, tha Berisha.
Përgjigjen në mungesë të Ramës ia ktheu sërish Ministri për Parlamentin.
“Aludimet haluçinante se ku është kompjuteri telefoni, njeriu qe e ka humb davanë prej vitesh”, tha Balla.
Krahas Ballës në replika Berisha u përfshi edhe me Damian Gjiknurin, me të cilin jo pak herë shkëmben batuta jashtë seancave plenare.
“Shko ku të duash edhe në malin Atos dëshmitar do thirresh për Ramën”, tha Berisha.
“Unë s’kam problem fare, dëshmoj kudo, por ty kompleksi i Xhejms Trafikantit do të kthehet për herë të dytë”, tha Gjiknuri.
Palët u përfshinë në replika edhe për dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Kamzës në grupin parlamentar të socialistëve. Opozita kërkoi shkarkimin e tij nga Presidenti, ndërsa mazhoranca i ftoi që hallet e primareve të mos i sjellin në aulën e kuvendit.
“Kërkova ndërhyrjen e Presidentit dhe senatit akademik të UBT për të shkarkuar një rektor që nuk njeh Kushtetutë dhe ligj”, tha Gazment Bardhi.
“Ai e tha se është i gatshëm të vijë edhe në grupin tuaj parlamentar. Erdhi të sqarojë dhe të kërkojë mbështetje për të mos u ndotur imazhi, por të mbështetet edhe për procesin ndërkombëtar”, tha Niko Peleshi.
“Më thonë që ka ardhur në grupin tuaj një kërkesë nga Safet Bajri për të dëgjuar, edhe ai pretendon se është i intimiduar nga SPAK”, tha Bardhi.
“Nëse këto janë tymnaja, për primaret e juaja, që tensionin tuaj ta transferoni këtu, është punë e juaja”, tha Peleshi.
Tv Klan