Zhvillimet e fundit në vend dhe në Amerikë kanë përplasur deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Parlament.
Pas dëshmive të dhëna në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Sali Berisha e cilësoi emergjencë kombëtare votimin nga kuvendi të ligjit për desorosifikimin e Shqipërisë.
“Ligjin pranojeni më mirë si e keqja më e vogël për ju. Se ai që do të bëhet pas zgjedhjeve ju garantoj se do t’iu dhemb shumë”, tha Berisha.
Duke iu referuar takimeve të Berishës në Athinë, socialisti, Petro Koçi kërkoi dekriminalizim për shkelësit e simboleve kombëtare.
“Ligji në fuqi nuk ndalon asnjë shtetas i cili ka qenë pjesëmarrës apo është aktiv në organizata me natyrë politike që vënë në pikëpyetje tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe nga ana tjetër shtetas të cilët janë ndëshkuar me vendim gjykate për dhunim të simboleve kombëtare shtetërore”, tha Koçi.
Kreu demokrat i kujtoi Kryeministrit Rama, i cili mungoi në seancë, disa nga dosjet që mund të rrezikojnë sipas tij pushtetin e socialistëve.
“Ku është Agacio? Dhe i mashtroni dhe thoni se është në spital. Laptopi i tij është në prokurori. Laptopi i ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që ka bërë Edi Rama me grupin e tij. Problemi i dytë i madh i dezekuilibrimit të tij është dosja McGonigal”, tha kryedemokrati Berisha.
Përgjigjen ia dha Ministri për Parlamentin.
“Aludimet halucinante këtu që ku është ky, se kam marr vesh që këtu është kompiuteri, këtu është laptopi, këtu është telefoni, muhabete kot. Një njeriu që e ka humbur davanë prej vitesh”, tha Balla.
Në replika u përfshi edhe me Damian Gjiknurin.
“Shko ku të duash. Edhe në malin Apos, e di vetë ti, po të shkosh, dëshmitar do thirresh për Edi Ramën. Po ta them këtu, dëshmitar nuk ke ku të shkosh pa u thirr për këtë”, tha Berisha.
“Dëshmoj kudo, kam dëshmuar. Kompleksi i gjeotrafikantit do të përsëritet për herë të dytë. Mos mbaj shpresa për gjëra që s’ke siguri”, replikoi Gjiknuri.
Deputetët debatuan edhe për dëgjesën e rektorit të Universitetit Bujqësor para grupit socialist. Gazmend Bardhi kërkoi që Sallaku të shkarkohet nga Presidenti.
“Një akt të paprecedentë që ka ndodhur në ambientet e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku një rektor që sipas Kushtetutës dhe ligjit, presupozohet të jetë i depolitizuar, kërkoi strehim në grupin tuaj parlamentar”, tha Bardhi.
“Çfarë u tha është tërësisht një shtrembërim, spekulim dhe abuzim me fjalën këtu në parlament, sepse ai iu kërkoi edhe ju publikisht, u tregua i gatshëm të vijë në grupin tuaj parlamentar të japë sqarime”, replikoi Peleshi.
“Niko mendova se po ngriheshe për të informuar publikun që e keni pranuar dhe kërkesën e Safet Bajrit për seancë dëgjimore në grupin tuaj, por mesa kuptova, ende se keni marrë një vendim të tillë. E shfrytëzoj këtë mundësi për ti kërkuar presidentit të Republikës, shkarkimin e menjëhershëm nga detyra, të një rektori që nuk njeh Kushtetutë dhe ligj”, përfundoi Bardhi.
Shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve biometrike të skaduara për emigrantët ishte një tjetër cështje që përballi palët. Janë 520 mijë shtetas, të cilëve u skadon afati i vlefshërisë së mjetit identifikues deri në 11 Maj .