Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ndryshe nga partitë e tjera të koalicionit, Partia Demokratike ka shprehur simpati për punën e kryer nga kryetari i prezencës së OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen. Sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare në PD Besnik Mustafaj vlerëson kontributin e Lipponen, për ndërhyrje që ka bërë në çështje të rëndësishme në jetën politike në vend, pavarësisht se janë manipuluar nga mazhoranca socialiste.
Besnik Mustafaj: “Dëshiroj me këtë rast t’i shpreh urimet e gjithë demokratëve të Shqipërisë, ambasadorit Lipponen, për suksese në vazhdimin karrierës së tij diplomatike. Ai i dha prezencës së OSBE-së në Shqipëri një pavarësi të domosdoshme nga qeveria, nuk u nënshtrua ndaj presioneve të qeverisë”.
Gazetarja: A duhej që Lipponen të largohej në këtë moment, kur janë lënë përgjysmë reforma zgjedhore dhe projektligji i pronave?
Besnik Mustafaj: “Ne do të dëshironim që ta vazhdonte punën e nisur ambasadori Lipponen, duke pasur parasysh se tashmë ai ka një eksperiencë që është e çmuar, i njeh protagonistët, njeh nevojat e Shqipërisë, njeh kontekstin në të cilën duhet kryer kjo reformë dhe në këtë kuptim zoti Lipponen do ta kishte më të lehtë”.
Mustafaji shpreh besimin se zëvendësuesi i Lipponen do të mbajë parasysh misionin që ka OSBE në Shqipëri, si dhe do të përgatitet për të përballuar presione shumë të mëdha nga qeveria, e cila është bërë gati të manipulojë zgjedhjet e ardhshme./tvklan.al