Siguruan delegatët e nevojshëm për nominimin e partive të tyre
Përballja Trump-Biden për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë tashmë është zyrtare. Joe Biden arriti të siguronte një tjetër fitore në Xhorxhia duke siguruara numrin e nevojshëm të delegatëve në Konventën Kombëtare Demokratike.
“Jam i nderuar që koalicioni i gjerë i votuesve që përfaqësojnë diversitetin e pasur të Partisë Demokratike në të gjithë vendin kanë besuar tek unë edhe një herë për të udhëhequr partinë tonë dhe vendin tonë në një moment kur kërcënimi që paraqet Trump është më i madh se kurrë”, u shpreh Biden.
Ai e cilësoi fushatën e Trump një hakmarrje e cila kërcënon të prishë rendin e SHBA-së.
Po ashtu nga ana tjetër Trump mblodhi 1215 delegatët e nevojshëm për të siguruar nominimin presidencial republikan, në tre shtete si Xhorxhia, Uashington dhe Misisipi. Ai fitoi të paktën 126 delegatë, duke tejkaluar 1,215 të nevojshme për t’u bërë kandidat. Fitorja në Xhorxhia vjen teksa Trump përballet me akuza penale për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e shtetit për vitin 2020.
“Kjo ka qenë një javë e jashtëzakonshme për lëvizjen tonë. Ne fituam shumë Super të Martën. Tani jemi vetëm disa ditë larg përfundimit zyrtar të nominimit republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partia jonë është e bashkuar dhe e fuqishme teksa garojmë kundër presidentit amerikan më të keq, më të paaftë, të korruptuar dhe shkatërrues në Historinë e Shteteve të Bashkuara.”
Fushata e tij për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë synon ligje më të rrepta për imigracionin, duke përfshirë premtimin për kufirin dhe zbatimin e dëbimeve. Trump është zotuar gjithashtu të luftojë krimin, të rrisë prodhimin vendas të energjisë, të tatojë importet e huaja, t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të rifillojë qasjen “Amerika e para” ndaj çështjeve globale.
Sondazhet tregojne se Biden edhe Trump nuk janë të pëlqyer nga shumica e votuesve amerikanë.
Akuzat e panumërta penale të Trump mund të dëmtojnë pozitën e tij në mesin e votuesve ndërsa nga ana tjetër Biden përballet me pakënaqësi në lidhje me krizën e vazhdueshme në kufirin SHBA-Meksikë, ekonominë si dhe qëndrimin e tij për luftën në Gaza.
Fushata e tyre tanimë pritet të jetë kombëtare për të mbledhur sa më shumë mbështetje dhe siguruar fitoren në zgjedhjet e 5 Nëntorit.
Klan News