Policia shqiptare ka marrë një goditje të ashpër nga krimi. Sot pasdite viktimë e tij ka rënë drejtori i policisë së Prefekturës së Shkodrës, Kolonel Arben Zylyftari. Ai ka mbetur i vdekur pasi ka marrë një breshëri plumbash automatiku gjatë drejtimit të një operacioni kundër dy personave të kërkuar. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga burime pranë Ministrisë së Rendit Publik. Sipas tyre ka qenë ora 14:30 minuta kur gjatë një kontrolli për armë në liqenin e Shkodrës, policia ka rënë në gjurmë të një personi shumë të kërkuar.
Bahri Sulejman Tafilja, akuzohet për një vrasje të dyfishtë të ndodhur vitin e kaluar. Bashkë me të ndodhej djali i tij Admir Tafili. Ata nuk iu përgjigjën thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por filluan rezistencën e armatosur. Ka qenë ky momenti kur kryepolici Zylyftari që ndiqte operacionin me radio, ka shkuar urgjentisht në vendin e ngjarjes, por sapo ka mbërritur është qëlluar me një breshëri të gjatë kallashnikovi. Ai është dërguar menjëherë në spital, por nuk i ka rezistuar dot plagëve.
Rezistenca ka vazhduar derisa Bahri Tafili u vra në përpjekje për rezistencë, ndërsa djali i tij Armiri u arrestua. Arben Zylyftari është një prej shefave më të njohur të viteve të fundit në policinë shqiptare.
Zylyftari është njëri prej shefave më të njohur të viteve të fundit në policinë shqiptare. Ai ka drejtuar komisariatet dhe drejtoritë e policisë në Skrapar, Vlorë, Korçë, Lezhë dhe prej pak muaj drejtor në Policinë e Shkodrës. Ai ka udhëhequr operacionin për arrestimin për herë të dytë të kapobandës së Vlorës Zani Çaushin./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame