Dietologia Blerina Bombaj ka treguar përshtypjet që të huajt i kanë dhënë për Shqipërinë në këtë sezon veror.
E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bombaj thotë se avantazhet e Shqipërisë, parë me syrin e të huajve janë natyra, ushqimi, mikpritja dhe historia, ndërsa disavantazhet – ndërtimet e shumta, mbeturinat, mungesa e kulturës në shërbim dhe e anglisht-folësve e po ashtu dhe ndotja akustike.
Blerina Bombaj: Është kushtuar një vëmendje e jashtëzakonshme e marketingut në botë. Kanë bërë një lobim shumë të madh, edhe Dua Lipa ishte një lobim i institucioneve dhe shumë influencër për të tjerë. Kryetari i Bashkisë e solli për koncert. Mori një pasaportë shqiptare dhe bëri jehonë. Është lobuar, ka një vëmendje për t’i bërë një jehonë Shqipërisë, por nuk ka qenë në ekuilibër të duhur me punën në vend, për shembull me infrastrukturën, me bujtinat, me informimin dhe në trajnimin dhe ngritjen e formimit të këtij populli në kuadër të këtij turizmi. Nuk është bërë një punë në balancë të prurjeve dhe si do t’i përballojmë ne këta.
Unë jam në një strukturë tanimë rishtazi që të huajt, vijnë tek unë ose ditën e parë ose ditën e fundit dhe kam fatin që të marr një përshtypje të tyre për Shqipërinë sepse jam afër aeroportit dhe ata flenë natën e fundit pasi kanë bërë një xhiro të Shqipërisë.
Avantazhet që unë kam spikatur tek ato janë natyra, diversiteti shumë, padiskutim ushqimi, mikpritja. Për ushqime kemi lëndën e parë shumë të mirë, nuk gjen më domate si në Shqipëri. Duke qenë Shqipëria e vogël, nuk kemi prodhimin masiv dhe bëjmë parcela-parcela dhe bujtinat kanë mundësi që ta ofrojnë ushqimin e mirë. Avantazh është edhe historia jonë e komunizimit që na bën atraktivë dhe duhet të heqim pak dorë nga përçmimi jonë për traditat dhe t’i sheshim ata shumë shtrenjtë.
Diavantazhet: Ndërtimet, kakofonia e ndërtimeve, plehrat që është një plagë shumë e madhe, mungesa e kulturës në shërbim dhe mungesa e anglisht-folësve. Ndotja akustike është edhe gjëja e paimagjinueshme që nuk menaxhohet sepse askush nuk do që të shkojë për pushime në një vend ku ka zhurmë të madhe./tvklan.al