Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Najada Hamza dhe Ardian Isufi janë dy piktorët e njohur të artit bashkëkohor shqiptar, të cilët kanë çelur një ekspozitë pranë Galerisë Zenit në kryeqytet. 16 punët e kësaj ekspozite, prezantojnë një copës shumë interesante të pikturës bashkëkohore shqiptare.

Kësaj here, piktori Hamza ka ardhur me punë tërësisht të reja në krijimtarinë e saj artistike në teknikën mikse. E njohur për pasionin e saj ndaj tekstilit, Hamza ka ndërthurur copëzat e qëndisura në argjend dhe mëndafsh, me vizatimin dhe vajin, por jo vetëm kaq, me një delikatesë të jashtëzakonshme kësaj here, arti i saj shtrihet në çdo detaj.

Ndërsa Isufi rivjen sërish me natyrën e tij të veçantë dhe interesante, që luan në dimension dhe në ngjyra. Ai ka sjellë në këtë ekspozitë, punë të prezantuara edhe më parë, por edhe krijime të reja që prezantohen për herë të parë.

Një prej piktorëve të paktë në Shqipëri që përdor akuarelin, Rakip Shabani, çeli në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e tij të 30-të. Shabani paraqitet përpara publikut me një stil të veçantë, krahasuar me ato që jemi mësuar të shohim në GKA. Ndryshe nga punët në vaj, akuareli i piktorit sjell peizazhe më të buta dhe të ngrohta. Shumë nga tablotë e tij kanë në qendër detin dhe kjo justifikohet dhe me origjinën vlonjate të artistit.

Rakip Shabani: “Akuareli është akuarel, dmth. është ngjyrë uji, është lëndë, ka shumë plastikë, ka shumë emocion, është shumë shumë i vështirë, por ka shumë mjeshtëri. Unë kam 45 vjet që punoj akuarelin, që kur isha fëmijë”.

Rakip Shabani ka çelur ekspozita në Angli, Itali, Argjentinë, Uruguaji, ndërsa Galeria e Arteve ruan në fond 22 vepra të tij./tvklan.al

Gazetare: Fjodora Fjora