“Nuk ka asnjë gjurmë që të çojë që hakerat iranianë të kenë prekur Censin”

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe për Sigurinë Kibernetike në Shqipëri, Igli Tafa, thotë se të dhënat e Censit nuk janë prekur si pasojë e sulmit kibernetik ndaj INSTAT-it.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Tafa shprehet se sulmet kibernetike jo vetëm në rastin e INSTAT, por edhe në raste të tjera janë të orkestruara nga Irani dhe jo nga ndonjë grup aktivistësh.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me sigurinë kibernetike në Shqipëri?

Igli Tafa: Shqipëria është një vend që ka një progres të jashtëzakonshëm në fushën e dixhitalizimit. Aktualisht kemi dixhitalizuar rreth 97% të shërbimeve publike dhe me këtë lloj ritmi po ecet me shërbimet e tjera.

Blendi Fevziu: Po i dixhitalizojmë, por sa të sigurta i kemi?

Igli Tafa: Bashkë me dixhitalizimin, vjen dhe risku i sigurisë kibernetike. Shqipëria është pjesë e zinxhirit botëror, kështu që si në çdo vend të botës… Sot që flasim janë rreth 12, 13 shtete që kanë pasur sulme kibernetike në sektorë të ndryshëm të tyre. Kjo është pjesë e botës së re.

Blendi Fevziu: Rasti më i fundit u komentua hyrja e hakerave iranianë në Institutin e Statistikave dhe ekzaktësisht tek të dhënat e Censit. A rrezikon që Censin ta shohim online në telegram të Homeland Justice?

Igli Tafa: Më lejoni që të qetësoj qytetarët që Censi nuk është prekur. Nuk ka asnjë gjurmë që të çojë që hakerat iranianë të kenë prekur Censin.

Blendi Fevziu: Prekja e Censit a mund të çojë në manipulim të të dhënave të Censit?

Igli Tafa: Nëse do të prekej po, por ne nuk kemi asnjëlloj treguesi. Nga analiza e bërë nga ekspertët, si në rastin e INSTAT, ashtu edhe në rastet e tjera, është parë që të gjithë treguesit lidhen me prezencën e hakerave që vijnë nga Irani. Shumë pak shtete në botë janë në këtë presion siç është Shqipëria. Nuk janë sulme që vijnë nga grupe aktivistësh sepse e dëgjoj shpesh këtë gjë. Ne kemi përballë jo një grup aktivistësh, por sulme të orkestuara nga një shtet. Sulme të orkestruara nga një shtet në çdo vend që kemi historira të tilla, kanë pasur pasoja jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete me kapacitete shumë të larta. I gjithë ekosistemi shqiptar është shumë herë më i maturuar sot se muaj më parë.

/tvklan.al