Emisioni “Stop” në Tv Klan ndodhet në fshatin Nënshat bashkia e Vaut të Dejës për të takuar nga afër qytetarin Lazer Kola i cili është në arrest shtëpie dhe megjithëse e ka përfunduar dënimin, nuk po fiton dot lirinë. Ai tregon, se në 2019-ën është arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe në periudhën e Covid-it ka kërkuar ndryshim të masës së arrestit.
Prej asaj kohe, megjithëse u dënua nga Gjykata e Apelit të Gjirokstrës me 4 vite e 8 muaj, askush nuk e çoi në burg, por e lanë në arrest shtëpie. Vetë Lazri, pasi u njoh me vendimin e Apelit, u përgatit të shkojë në burg, por nga komisariati i Vaut të Dejës i thanë që nuk ka urdhër ekzekutimi për dërgimin në burg. Ndërkohë afati i dënimit ka përfunduar dhe Lazrit i shtyhen gjyqet dhe nuk i jepet verdikti.
Nga ana tjetër, për të shkuar në Gjykatën e Gjirokastrës, ai shoqërohet nga efektivi i Vaut të Dejës deri në Shkodër dhe aty e merr policia e Gjirokastrës. Në Gjykatën e Gjirokastrës thonë se gjyqet shtyhen për arsye proceduriale dhe ligjore, pra në dosjen e tij mungon urdhri i ekzekutimit nga prokurori përkatës i ekzekutimeve në Gjirokastër.
Ndërkohë as në policinë e Gjirokastrës e as në policinë e Vaut të Dejës, nuk është dërguar urdhër ekzekutimi për transferimin e Lazer Kolës në burg. Avokati Arben Llangozi shpjegon se prokurori i ekzekutimeve është Julian Çafka dhe mosbërja e këtij urdhri, e pengon qytetarin.
Por kjo neglizhencë e prokurorit Julian Çafka nuk është hera e parë që ndodh. Llangozi shprehet se ka një rast analog dhe prokurori ndodhet nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Arben Llangozi: Të mos ekzekutosh një vendim gjykate dhe një vendim gjykate të formës së prerë, është jo vetëm skandaloze, por është një neglizhencë e rëndë në punë dhe nuk është hera e parë që ky prokuror ka zvarritur ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Gjykata e Apelit, në një rast tjetër analog, ka urdhëruar hetimin e këtij prokurori për veprën penale të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Kjo çështje ndodhet akoma nën hetim dhe kemi një rast identik, të njëjtë me rastin aktual. Edhe në rastin që unë ju bëj prezent, ky prokuror ka zvarritur hetimin prej rreth një viti e gjysmë./tvklan.al