Hartimi dhe dorëzimi i një drafti jokonsensual nga PS të hënën në Kuvend, ka thelluar dhe më shumë ndarjen mes palëve duke e bërë të pashpresë gjetjen e konsensusit për Reformën Zgjedhore.
Qëndrimet e kundërta dhe akuzat në drejtim të kundërshtarit si përgjegjës për dështimin u bënë publike në tryezën që KQZ-ja dhe OSBE-ja organizuan këtë të martë.
“PS dështoi Reformën Zgjedhore. Rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk do të zbatohen edhe në kushtet e përplasjeve të forta ka patur reformë zgjedhore”, tha përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.
“Që në fillim ka qenë jo, o fillon nga koalicionet o ne nuk diskutojmë gjë. Atëherë kjo nuk quhet më dialog, por këtu që në fillim PD e ka dështuar këtë tryezë”, tha Eridian Salianji, Sekretar për Çështjet Zgjedhore i PS-së.
Kreu i OSBE-së, në të parën dalje pas marrjes së detyrës dhe në shqip ju kujtoi palëve sa i rëndësishëm është vullneti politik për të adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku dhënia e të drejtës së votës së emigrantëve të jetë prioritet.
“Çdo vendim duhet të jetë prej konsensusit të gjerë. OSBE është e fatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihmë teknike sipas nevojës”, tha ambasadori Michel Tarran.
Komisioneri Celibashi mendon se dhe për votimin dhe numërimin elektronik kërkohet konsensus ndryshe, procesi do të jetë i paragjykuar siç ndodhi në zgjedhjet e fundit sa i takon teknologjisë.
Socialistët përsërisin se janë në pritje që përpara seancës së fundit të këtij sesioni të dakordësohen për amendimet në ligjin zgjedhor.
Ata do të testojnë dhe mundësinë për të bërë 84 vota në sallë për propozimet e tyre në të kundërt zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen bazuar tek kodi aktual i cili nuk e bën të mundur votimin e diasporës si dhe çon në lista krejtësisht të hapura pas rrëzimit të herësit nga Gjykata Kushtetuese.
Tv Klan