Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija, thotë se 10 burgje me infrastrukturë të vjetër që nuk plotësojnë kushtet parashikohet që të mbyllen.
Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin Opinion nga burgu i Peqinit, Abrija tha se dy burgjet që do të mbyllen si fillim janë ai i Burrelit dhe i Tepelenës.
Pesë burgje të reja do të ndërtohen dhe do të jenë të pozicionuara në zona të ndryshme të Shqipëri, njëri prej të cilëve në Gjirokastër.
Drejtori i Burgjeve, Admir Abrija: Burgu i Burrelit është një burg që do të mbyllet, edhe Tepelena, do mbyllen këto dy burgje. Pra ne kemi 10 burgje me infrastrukturën e vjetër që parashikojmë t’i mbyllim dhe të ndërtojmë 5 burgje të reja.
Blendi Fevziu: Që janë në destinacione të ndryshme?
Drejtori i Burgjeve, Admir Abrija: Njëri do jetë në Gjirokastër që do mbulojë dy gjykatat e rrethit gjyqësor të Gjirokastrës dhe Sarandës, do mbulojë me të paraburgosur nevojën që kanë për paraburgim këto dy gjykata dhe gjithashtu për të vuajtur dënimin edhe të dënuarit të cilët janë nga zonat përreth, sepse ne kemi një parim, parim jonë është që të dënuarit të jenë sa më pranë banesave të tyre aty ku jetojnë familjet e tyre.
Blendi Fevziu: Burgun e Burrelit mendoni që mund të kthehet dhe në një muze?
Drejtori i Burgjeve, Admir Abrija: Po, do jetë një institut kujtese. Burreli dhe Tepelena. Kurse burgjet e tjera, siç është Kosova dhe Lushnja, Rrogozhina, burgu Mine Peza, burgu i grave në Ali Dem, do jenë të gjitha institucione që do të mbyllen.
Blendi Fevziu: Do rinovohet komplet sistemi i burgjeve?
Drejtori i Burgjeve, Admir Abrija: Do rinovohet sistemi i burgjeve. Përsa i përket burgut të grave, ne besojmë që deri në muajin Mars të kemi mbuluar gjithë infrastrukturën ndihmëse të burgut të Pojskës në Pogradec dhe ai burg do zhvendoset në Pogradec.
/tvklan.al