Luftimet mes Izraelit e Hezbollahut u përshkallëzuan të dielën kur grupi militant goditi me dronë qytetin qendror të Binyamina. Burime flasin për pesë ushtarë izraelitë të vrarë e të paktën 67 të plagosur, disa në gjendje të rëndë që rrezikojnë jetën. Bilanci pritet të rëndohet.

Nuk ka asnjë njoftim se si mundën dronët e Hezbollahut të penetrojnë sistemet e përparuara të mbrojtjes ajrore të Izraelit. Është e rrallë që kaq shumë njerëz të lëndohen nga dronët ose raketat.

Mediat izraelite raportuan se dy dronët u lëshuan nga Libani dhe ushtria izraelite tha se një u kap.

Lëshimi i breshërisë së dronëve u pohua edhe nga vetë Hezbollahu. Sipas burimeve ato goditën mensën e një baze ushtarake izraelite në jug të Haifas.

Me herët gjatë ditës, tanket izraelite sulmuan bazat e OKB-së në Libanin Jugor. Forca paqeruajtëse të OKB-së thanë se tanket izraelite hynë me forcë në një prej pozicioneve të tyre mëngjesin e së dielës.

Në një deklaratë, Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (Unifil) tha se dy tanke të Izraelit shkatërruan portën kryesore të një poste në Ramyah, pranë kufirit izraelit, dhe “hynë me forcë në pozicion” për të kërkuar që ajo të zbulonte dritat.

Rreth dy orë më vonë, u qëlluan aty pranë dhe ushtria izraelite hodhi granata tymuese në hyrje të kampit, ​​duke shkaktuar plagosjen e 15 paqeruajtësve të cilët pësuan iritime të lëkurës dhe probleme gastrointestinale.

Ushtria izraelite dha një version ndryshe të ngjarjeve, duke thënë se shkoi pranë postës së OKB-së për të evakuuar ushtarët që ishin plagosur nga një raketë antitank. Dy ushtarë, shton deklarata izraelite, u “plagosën rëndë” në sulm.

Izraeli u ka kërkuar vazhdimisht forcave paqeruajtëse që të tërhiqen nga zonat e Libanit Jugor ku po zhvillohen luftime. Ja këtu ushtria izraelite gjeti një tunel të Hezbollahut pranë postës së OKB-së në Libanin Jugor. Aty u zbuluan dhe armë të reja me origjinë nga Rusia.

Kryeministri izraelit BenjaminNetanyahu i tha misionit Unifilqë t’i largojë “menjëherë” trupat e tij “nga rreziku” në një deklaratë video të lëshuar nga zyra e tij të dielën. Ai pretendoi se forcat paqeqrruajtëse janë “peng i Hezbollahut”. Unifil deri më tani i ka refuzuar këto thirrje të Izraelit.

Në frontin tjetër të luftës, atë në Gaza, të paktën 300 vetë janë vrarë nga forcat izraelite ndërsa rrethimi ushtarak i Gazës Veriore hyn në ditën e nëntë. Dhjetëra mijëra palestinezë mbeten të bllokuar nga pushtimi tokësor dhe sulmet me dron, ndërsa furnizimet me ushqime dhe ujë po pakësohen.

Klan News