Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive në kryeqytet këtë pasdite. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama është shprehur se PS është forca e parë politike që i ka hequr pushtetit duart nga drejtësia. Më tej, Rama thotë se qëllimi i tyre ka qenë një drejtësi e pavarur që të luftojë edhe hajdutët brenda tyre. Megjithatë, Rama shprehet se duan drejtësi evropiane, jo si në Rusi.

“Ne jemi partia politike dhe e para forcë me pushtet që i kemi hequr pushtetit politik duart nga drejtësia sepse kemi dashur që Shqipëria të futet në sprovën e një drejtësie të pavarur dhe të kemi një drejtësi të pavarur që të luftojë me hajdutët edhe brenda nesh. Qëllimi jonë nuk ka qenë si të mbajmë pushtetin dhe të mbulojmë njëri-tjetrin të njëjtën histori. Qëllimi jonë që të bëjmë histori duke e bërë Shqipërinë anëtare në BE dhe duke i dhënë shans brezave që vijnë mbrapa një drejtësi të pavarur. Ne 5 vjet, unë i pari dhe të gjithë të tjerët kemi shtrënguar dhëmbët sepse pavarësia ka qenë kryesorja. Ama nuk është vetëm pavarësia, është edhe profesionalizmi. Ne duam drejtësi evropiane, jo si në Rusi”, shprehet Rama.

Kryeministri shton se nuk duan drejtësi me paraburgim pa gjyq teksa thotë se kjo është një betejë që kanë barrë ta bëjnë duke garantuar pavarësinë dhe paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Nuk duam drejtësi me paraburgim pa gjyq. Kjo është një betejë që e kemi barrë ta bëjmë. Duke garantuar pavarësinë dhe paprekshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë. Një parti si e jona që në 2 mandate ka qeverisur e vetme, që i thotë drejtësisë “ja ku më ke dhe ha trupin tim”, rëndësi që të gjitha të jenë të barabartë para ligjit dhe sikur të kafshosh gabimisht. Kafshimet gabim të drejtësisë janë tragjedi. Megjithatë nuk ka rrugë tjetër. Barra e provës i takon atij që akuzon dhe jo atij që akuzohet dhe parimi është që të gjithë janë të pafajshëm derisa provohet dikush i fajshëm.

Nuk është parimi të gjithë janë të fajshëm dhe hajde të provoj se janë të pafajshëm se këtu është bërë “të gjithë janë hajdutë e kriminelë” sepse nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për të na mundur. Sot ulërasin lloj-lloj speciesh kënetash që “ne po kërcënojmë SPAK-un” dhe bufi i kënetës vazhdon çon denoncime tek SPAK. Nëse drejtësia është shpatë dhe tek shpata, rolin kryesor e ka prokuroria, por drejtësia nuk është vetëm shpatë, është edhe peshore. Kjo zonja e drejtësisë sytë i ka të fashuar sepse duhet të jetë e verbër drejtësia, në kuptimin që nuk duhet të shohë se kush është më i gjatë dhe kush është më i shkurtër, kush është akuzuesi apo i akuzuari. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe në peshore vihen provat. Shpatën sot drejtësia e ka se ja dhamë”, tha Rama.

/tvklan.al