Nuk prodhuan fitues dy sfidat e fundit të javës së 16-të në Superligë.
Partizani dhe Egnatian, ndanë nga një pikë mes tyre, pas barazimit 1-1 në kryeqytet. Pritej të ishte një ndeshje e bukur dhe ashtu rezultoi.
Mba i dha avantazhin të kuqve në minutën e 34-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Partizani i shkoi shumë afër fitores, por u barazua në minutën e 90-të. Bakayoko, pas një topi të mbetur në zonë, ia doli të shënojë me roveshatë.
Festa e sulmuesit ishte e shfrenuar, duke hequr bluzën dhe duke shkuar te tifozët rivalë, gjeste për të cilat u ndëshkua me karton të kuq.
Me këtë barazim, Partizani mban vendin e parë me 29 pikë, ndërsa Egnatia renditet në vendin e tretë me 27 pikë.
Në sfidën tjetër, trajneri Ernest Gjoka, debutoi me barazim pa gola te Skënderbeu, në sfidën ndaj Tiranës. Në Korçë, ishte një ndeshje e vakët dhe me raste të pakta për shënim nga të dyja ekipet.
Me këtë barazim, Skënderbeu mban vendin e parafundit në renditje me 14 pikë, ndërsa Tirana renditet në vendin e shtatë me 17 pikë. /tvklan.al