Këto janë pamjet e vjedhjes së një supermarketi në kryeqytet. Një i ri shfaqet i maskuar dhe shkon direkt tek kasaforta duke marrë një qese me para. Bëhet fjalë për shumën prej 1.5 milionë lekësh të rinj. I riu bashkëpunoi me një tjetër person gjithashtu i maskuar, i cili e priste në ambientet e jashtme.

Ngjarja ndodhi në 21 tetor pas mesnate në një biznes në rrugën e Dibrës. Pasi kryen grabitjen dy autorët u larguan rrugicave, drejt banesave të tyre. Para se të mbërrinin në shtëpi dy hajdutët hoqën maskat, veprime që u filmuan nga kamera sigurie.

Pas këqyrjes së pamjeve filmike ata u identifikuan. Të arrestuarit janë: Rei Syla 21-vjeç dhe Artur Pashkaj 36-vjeç, të cilët akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.

Gjatë kontrollit në banesë të riut Syla i është gjetur dhe një pistoletë, të cilën e kishte groposur së bashku me krëhërin me fishekë.

Agjentët e komisariatit nr.4 në Tiranë sekuestruan edhe shumën prej 800 mijë lekësh të rinj, që dyshohet se janë paratë që vodhën në supermarket. Policia e ka të paqartë akoma nëse kanë pasur bashkëpunëtorë për kryerjen e grabitjes, pasi derën e kanë hapur me çelës dhe pa thyerje. Rei Syla dhe Artur Pashkaj rezultojnë me precedent penal, në fushën e vjedhjes dhe grabitjes.

Klan News