Dyndje tifozësh kuqezi për takimin debutues në Euro2024 kundër Italisë. Pritet që në stadiumin ‘Signal iduna Park’ të Dortmund, me një kapacitet prej 62 mijë tifozësh, pjesa më e madhe të jenë në mbështetje të kombëtares shqiptare.
Parashikohet që në këtë impiant të jenë mbi 50 mijë tifozë shqiptarë. Përveçse kanë ezauruar tribunat e përcaktuara nga UEFA, ata kanë blerë edhe biletat në zonat neutrale të stadiumit, për të vendosur edhe një rekord sa i përket mbështetjes në një ndeshje të kampionatit Europian.
Duke iu referuar asaj që shkruhet në median “ESPN”, ky do të ishte numri dhe kontigjenti më i madh i tifozëve në mbështetje të një kombëtareje udhëtuese në këtë kompeticion, përjashtuar këtu vendin organizator.
Shumë shtetas shqiptarë që jetojnë në Gjermani kanë blerë biletat për paraqitjen e parë të vendit në turne të madh që nga Euro 2016, ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë për shkak të shumicës dërrmuese të biletave të blera nga tifozët shqiptarë.
Sa i përket shifrave të përgjithshme, ende nuk dihet se sa do të jetë ajo kuqezi në shkallët e dy stadiumeve të tjera për ndeshjet me Kroacinë dhe Spanjën. Ndërkaq, mbi 100 mijë tifozë skocezë priten në Gjermani përgjatë turneut, ndërsa një numër të madh mbështetësish do të kenë edhe Anglia, Holanda dhe Polonia.
Klan News