Siria do të ndahet në zona të influencës të fuqive rajonale dhe Bashar Al Assad do të qëndrojë president për të paktën disa vite në një marrëveshje të ravijëzuar mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit.
Kjo marrëveshje që do lejojë autonomi rajonale brenda një strukture federale të kontrolluar nga sekti Alawit i Assad, është ende në fillesat e saj dhe mund të ndryshojë. Marrëveshja do kërkojë gjithashtu pranimin nga Assad dhe rebelët dhe nëse është e nevojshme edhe nga shtetet e gjirit dhe SHBA.
Një marrëveshje finale do jetë e vështirë por qëndrimet kanë ndryshuar, thotë Andrey Kortunov, drejtuesi i Këshillit të marrëdhënieve Ndërkombëtare Ruse.
Fuqitë e Assad do kufizohen. Ai do lejohet të qëndrojë deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale për t’u zëvendësuar nga një figure aleate më pak përçarëse.
Irani duhet ende të bindet për këtë zgjidhje, thonë burimet, por sidoqoftë Assad do të largohet një ditë me garanci për të dhe familjen e tij.
Askush nuk beson se një marrëveshje e gjere paqeje në Siri do të jetë e lehtë por është e qartë se presidenti Putin do të luajë rolin kryesor në përpjekjen për të arritur një zgjidhje, fillimisht me Turqinë dhe Iranin. Kjo do të rrisë shanset e Rusisë për të rifituar mantelin e një fuqie botërore dhe lojtari serioz në Lindjen e Mesme.
Ndërsa nga ana e saj Turqia shpreson që pas mposhtjes së ISIS, Rusia ta ndihmojë në asgjësimin e PKK.
“Reuters” thotë si përfundim, se ka edhe një pakt të heshtur me Rusinë që Turqia të marrë Al-Bab nga ISIS dhe të mos lejojë zgjerimin e kurdëve. Gjithçka mbetet për t’u parë./ TV KLAN