50-vjetori i tyre në skenë sjell një shfaqje të veçantë nga Parodistët e Vlorës. “Rroftë parodia” do të jetë një përmbledhje e karrierës së tyre artistike, plot humor, muzikë dhe mesazhe të përcjella në mënyrën më origjinale.
Në bisedën me “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Afrim Agalliu dhe Agron Hamo kujtuan fillimet në skenë, rrugëtimin e gjatë dhe treguan vizionin për vazhdimin e parodisë. Ata theksuan se e vetmja arsye që do t’i bënte ta linin është shëndeti dhe kanë dëshirë që t’ua trashëgojnë brezave të rinj.
Aldo: Cila është ajo arsye e fortë që do ju bëjë juve të lini parodinë?
Afrim Agalliu: Shiko, ne parodinë, e vetmja arsye ajo do të jetë, kur ne të mos jemi mirë fizikisht dhe mendërisht, s’ka arsye pse ta lëmë përderisa ndihemi mirë. Megjithatë, ju folët pak më parë dhe thatë do ta trashëgoni, po patjetër.Duhet trashëguar sepse në fund të fundit brezat e rinj që vijnë nga mbrapa, ka shumë të rinj që e dëshirojnë dhe duan të bëhen, ne i kemi përkrahur. Edhe ai institucion atje, teatri, është i hapur, kanë ardhur dhe ka breza të rinj që këndojnë.
“Rroftë parodia” do të debutojë në datat 7, 8 dhe 9 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ora 19:30./tvklan.al